Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Afganët në Shqipëri, në pritje të realizimit të ëndrrës amerikane

Gazeta10
09 July 2023 - 9:11

Për ta kaluar mërzinë, ai nisi të punonte në kuzhinën e kompleksit “Rafaelo”, që u shpërben vetëm afganëve që janë të vendosur aty dhe që aktualisht janë afër 800.

Qe gjashtë muaj, ai ka punuar në orarin e pasdites, ndërkaq në dy muajt e fundit ka nisur të marrë edhe pagë.

“Kam punuar shumë gjithë jetën time [në Afganistan], kam bërë një jetë, një shtëpi, një veturë, një biçikletë…gjithçka më ka humbur. Tani duhet t’ia nis nga fillimi. Por, të paktën ta di se kur do ia filloj [jetën në SHBA]”, thotë Muhiti, i cili në Shqipëri jeton me gruan dhe vajzën e rritur, shkruan REL.

Afganët gjatë drekës që shërbehet për ta në kompleksin “Rafaelo”.
Afganët gjatë drekës që shërbehet për ta në kompleksin “Rafaelo”.

“Brengosem për të ardhmen e fëmijëve”

Loja e shahut nuk i pëlqen shumë, madje nuk i pëlqen as ushqimi që përgatitet në kuzhinën e “Rafaelos”.

Arash Noori, gazetar dhe kameraman nga Afganistani, po e përjeton rëndë faktin që ka mbetur në Shqipëri që nga tetori i vitit 2021.

“Është vështirë ta lësh vendin tënd. Kam lënë prapa gjithçka, shtëpinë, kompaninë time. Kam ende familje atje”, thotë Noori.

Në Shqipëri, ai erdhi me bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tyre, të cilët janë brenga e tij më e madhe.

Arash Noori, refugjat afgan, duke përgatitur çantën e të birit për në shkollë.
Arash Noori, refugjat afgan, duke përgatitur çantën e të birit për në shkollë.

Duke qenë se qëndrimi i afganëve në Shqipëri ka qenë i paraparë të jetë i shkurtër dhe i përkohshëm, atje nuk ka një shkollë të regjistruar ku fëmijët mund të marrin certifikata për mbarimin e klasave.

“Është një shkollë shqiptare këtu. Nga mëngjesi, nxënësit shqiptarë shkojnë atje e pasdite fëmijët afganë. Mësuesit për afganët janë mbledhur në mesin e refugjatëve…por, nuk marrin rezultate. Kjo është një imitim i shkollës”, thotë Noori.

Noori thotë se meqë “nuk ka asgjë për të bërë” në Shqipëri, po merret me prodhimin e videove për Youtube bashkë me një nga djemtë e tij.

Ditët kryesisht i kalon duke ecur në shëtitoren rreth plazhit.

Një fëmijë afgan teksa pastron këmbët nga rëra e plazhit në Shëngjin.
Një fëmijë afgan teksa pastron këmbët nga rëra e plazhit në Shëngjin.


E brenda në apartamentin dydhomësh të hotelit “Rafaelo” ku jetojnë familja Noori, bashkëshortja e Arashit, Deeba gatuan shpesh ushqime afgane, pasi ia kërkojnë fëmijët.

“Ata nuk hanë në kuzhinën e restorantit, thotë se ushqimi atje nuk ka shije dhe kërkojnë ushqim afgan. Unë ua përgatis”, thotë Deeba, për të cilën kjo nuk është puna e vetme që bën gjatë ditës.

Mungesa e aktivitetit duke mos ditur se sa do të qëndrojnë në Shqipëri dhe mërzia për familjarët që kanë mbetur në Afganistan, Deeba thotë se ia rënduan gjendjen mendore.

“Të gjithë jemi bërë keq. Unë kam rënë në depresion, sepse nuk po dilja. Nuk kisha punë. Ju e shihni, kjo është zonë pushimesh, shumicën e kohës kam qenë në shtëpi, duke mos bërë asgjë”, tregon ajo.

Për të kaluar kohën, Deeba tashmë ka nisur punë në një restorant në Shëngjin, ku punon pasditeve.

“Dëshira ime më e madhe është që dokumentet tona për emigrim në SHBA të procesohen më shpejt”, thotë ajo.

Deeba Noori, refugjate afgane në Shëngjin.
Deeba Noori, refugjate afgane në Shëngjin.

Sipas autoriteteve shqiptare, aktualisht në Shqipëri gjenden rreth 1 mijë afganë, që janë të vendosur në Shëngjin dhe Durrës. Në mesin e tyre, nga viti 2021 kanë lindur 50 fëmijë dhe kanë vdekur katër persona.

Afganët që gjenden në Shqipëri kryesisht janë ish-punonjës të Qeverisë afgane, aktivistë e gazetarë./REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.