Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nën dyshimin se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së. Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj A.A., në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Ulajt.
Në raportin 24 orësh të Policisë, të enjten, thuhet se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpëdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.