
Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksident trafiku me fatalitet që ka ndodhur sot, më 28 maj 2026, rreth orës 11:00, në fshatin Zllopek të Pejës.
Sipas njoftimit, njësitet kompetente të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e aksidentit.
Aksidenti ka ndodhur kur automjeti (A), i cili po qarkullonte nga drejtimi i fshatit Kosuriq drejt Pejës, me të arritur në fshatin Zllopek, nuk i është përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë. Si pasojë, automjeti ka goditur një këmbësor i cili po kalonte rrugën nga ana e djathtë në të majtë të lëvizjes së automjetit.
Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari është ndaluar me masën e mbajtjes për 48 orë.