
Në orët e hershme të mëngjesit, në bregun e Liqenit të Ujmanit kanë arritur makineritë për të nisur rrënimin e 11 vilave ilegale.
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc” kanë nisur aksionin për prishjen e këtyre vilave.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se po ofron asistencë në Liqenin e Ujmanit këtë mëngjes.
“Sot nga ora 07.00 kemi filluar asistimin e Iber Lepencit dhe Ministris së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Jemi duke asistu në vendin e quajtur “Plazha e Shqiptarëve”, Zubin Potok ku është planifikuar të rrënohen 11 shtëpi pushimi (vikendica)”, ka thënë Veton Elshani për GAZETA10.
Ky veprim vjen pas një paralajmërimi dhe kërkese paraprake që Ibër Lepenci u ka bërë 11 “pronarëve” që kanë ndërtuar objekte të ndryshme e shtëpi pushimi në hisen e ndërmarrjes, te Ujmani
“Bazuar në regjistrat zyrtarë dhe dokumentet e pronësisë, Ndërmarrja Publike e Ujërave ‘Ibër-Lepenc’ Sh.A. është pronare ligjore e parcelës kadastrale nr. P-72908033-02631-2, me sipërfaqe 32.998 m², e regjistruar në Zonën Kadastrale të Veli Bregut, Komuna e Zubin Potokut”, thuhet në kërkesë, e cila mban datën 3 korrik.
Në këtë kërkesë, siç është raportuar më herët, personave në fjalë u ishte dhënë një afat prej 15 ditëve për të liruar menjëherë pronën e uzurpuar, për të hequr të gjitha sendet dhe ndërtimet e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe për ta kthyer pronën në gjendjen e mëparshme”.
Në të kundërtën, siç thuhej në kërkesë, pas skadimit të afatit, “Ibër-Lepenci” do të detyrohet të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe për të liruar pronën, pa ndonjë paralajmërim të mëtejshëm; në këtë rast, të gjitha kostot dhe pasojat ligjore do të bien mbi pronarët”. /GAZETA10