
Basketbollisti i skuadrës së Pejës, Alban Veseli ka reaguar pas ndeshjes Trepça – Peja, ku i njëjti ka akuzuar skuadrën mitrovicase për mungesë të kushteve optimale për zhvillimin e ndeshjes.
Ai e bëri këtë përmes një postimi në rrjetinsocial Facebook ku tha se në palestrën “Minatori” nuk pati kushte e as siguri për t’u zhvilluar ndeshja.
“Zero kushte per loje, zero siguri. Banka rezerve e sulmuar gjate gjithe ndeshjes nga huligane ne afersi 1 meter dhe te gjithe ishim te prekur nga pshtyrjet, sharjet, fyrjet e pandalshme, kjo nuk mjaftoj per sigurimin e ndeshjes dhe policine qe ne vend se ti krijonin kushtet per loje edhe ata na sulmuan.”, kishte shkruar Veseli.
Tutje, ai pati disa fjalë edhe për mënyren e referimit nga gjyqtarët.
“Per referim nuk jam kompetent te flas mirepo nje loje aq agresive nga Trepqa me 1 faul per 9 minuta loje ne qerekun e fundit le shume per te deshiruar.”, u shpreh Veseli.
Trepça dhe Peja zhvilluan mbrëmë ndeshjen e parë të finales së ‘Play-Offit’, ku “Xehtarët” arritën të triumfojnë me rezultat 94:86.
Ndeshja e dytë finale do të luhet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë, dhe ekipi që arrin i pari tri fitore, shpallet kampion i “Prince Caffe Superligës” në basketboll, për sezonin 2022/2023.