Gazeta10

Alternativat e AAK-së për dalje nga kriza

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar unifikimin e partive opozitare për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kreun e ekzekutivit se e ka zhytur Kosovën në krizë të thellë, nga e cila mund të dilet vetëm përmes mocionit të mosbesimit.

AAK-ja e Ramush Haradinajt, vazhdon të kërkojë rrëzimin e qeverisë Kurti.

Kjo pasi, edhe njëherë tjetër, ish-kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga opozita që të bashkohen dhe ta mbështesin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit.

Në një tryezë me afaristë të vendit, kreu i AAK-së, theksoi se qeveria aktuale e ka zhytur Kosovën në krizë të thellë dhe po e rrezikon vendin.

E për të realizuar mocionin e mosbesimit, AAK-së i duhet të  mbledhë 40 nënshkrime, të cilat kryetari i kësaj partie po i kërkon nga opozita.

Prej kur kishte filluar tensionimi i situatës në katër komunat veriore, AAK-ja nëpërmjet seancave të Kuvendit dhe konferencave ka adresuar kërkesën e njëjtë për rrëzim të ekzekutivit.

Vazhdimisht nga kjo parti kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për gjendjen e rënduar sipas tyre në vend.

Kjo parti ka mbajtur takime edhe me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, për të diskutuar rreth situatës në vend.

https://youtu.be/8EpnBgnqP9U