
Lidhur me vizitën nga diplomatët e huaj në Kosovë në Manastirin e Deçanit, ky institucion ka dhënë më shumë detaje duke thënë se me ndërkombëtarët diskutuan për tokën e manastrit.
Madje, Manastiri i Deçanit këtë vizitë e ka interpretuar si mbështetje për 24 hektarët të cilët vazhdimisht i kërkon të i ketë në pronësi, shkruan Gazeta10.
”Sot patëm nderin e veçantë të mirëpresim në Manastirin e Visoki Deçanit tridhjetë krerë të misioneve ndërkombëtare, ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Kosovë. Rasti i menjëhershëm i këtij takimi ishte riafirmimi i mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit, një vendim që fatkeqësisht ende nuk është zbatuar nga autoritetet e Kosovës. Ky vendim gjykate u mbështet me vendosmëri nga ambasadorët e vendeve të Quintit si dhe nga shefat e misioneve të BE-së dhe OSBE-së pak ditë më parë, në 7-vjetorin e saj. Për më tepër, ky tubim shërbeu si një mundësi për të shprehur mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit dhe respektimin e lirisë fetare për të gjitha komunitetet në Kosovë“, thuhet në reagim.
Në njoftimin e tyre bëhet e ditur, se ambasadorët ishin të ftuar edhe për drekë.
”Pas diskutimit, murgjit e Deçanit shtruan një drekë për të gjithë vizitorët në trapezarinë e Manastirit. Kjo ngjarje vërtet ofroi një mundësi për të shkëmbyer hapur opinione, për të diskutuar një sërë çështjesh dhe në radhë të parë për të forcuar lidhjet ndërmjet Kishës sonë dhe komunitetit diplomatik ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Manastiri i Deçanit shumë shpesh ka ‘’rrokur’’ mes vete Kosovën e Serbinë./Gazeta10