Kombëtares së Kosovës do t’i shtohet një armë e re në portë.
Amir Saipi, portieri i skuadrës së Luganos ka vendosur përfundimisht që të përfaqësojë kombëtaren A të “Dardanëve”.
24-vjeçari kishte zhvilluar 14 paraqitje me kombëtaren U21 të Zvicrës dhe ishte duke u monitoruar nga selektori Murat Yakin për kombëtaren A, por ai ka vendosur që të luajë për vendlindjen e prindërve të tij.
I lindur në Zvicër, Saipi ishte formuar si futbollist në Schaffhausen, derisa në vitin 2021 iu bashkua skuadrës së Luganos.
Ai ka kontratë me klubin zviceran deri në qershor të vitit 2026 dhe vlera e tij në treg është rreth 2.8 milionë euro.
24-vjeçari shihet si një prurje e madhe te kombëtarja e Kosovës, ku pritet ta rrisë dukshëm konkurrencën në portë.
Mbetet të shihet nëse Saipi do të jetë pjesë e listës së Franco Fodës për ndeshjet e tetorit që Kosova i luan ndaj Lituanisë dhe Qipros.