Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Analistët në “Politiko”: LDK në udhëkryq- çfarë e pret Lumir Abdixhikun?

Gazeta10
15 July 2026 - 22:08

Emisioni “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10 sonte është fokusuar te kriza e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe zhvillimet që lidhen me Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku në qendër të diskutimit ishte e ardhmja politike e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Komentatori politik Fidan Rama vlerësoi se Abdixhiku ka gjasa të shkarkohet në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, duke argumentuar se ai nuk e gëzon më mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të strukturave të LDK-së. Sipas tij, votimi i fshehtë mund të çojë në zgjedhjen e një kryetari të ri.

Muja: Shkarkimi i Abdixhikut nuk do ta forcojë LDK-në

Ndërkaq, analisti Basri Muja u shpreh se, edhe nëse ndodh shkarkimi i Abdixhikut, kjo nuk do ta forcojë LDK-në. Ai paralajmëroi se partia mund të përballet me fragmentim edhe më të madh dhe se koha është e pamjaftueshme për konsolidim para zgjedhjeve të mundshme.

Nga ana tjetër, Halil Matoshi deklaroi se kërkesa për Kuvend të Jashtëzakonshëm tashmë është protokolluar dhe se nismëtarët kanë siguruar shumicën e nevojshme për ta zhvilluar procesin. Ai akuzoi lidershipin aktual të LDK-së se është përpjekur ta minimizojë këtë zhvillim, ndërsa theksoi se dëshiron që partia të mbetet e fortë, duke shtuar se përpjekjet për ta dobësuar atë janë të dëmshme për demokracinë.

Matoshi: Njeri më të fuqishëm politikisht në Ballkan se Albin Kurti sot s’ka

Në debat u trajtua edhe situata politike në vend. Matoshi e cilësoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti si një nga politikanët më të fuqishëm në Ballkan, duke thënë se vendimet kryesore politike varen nga ai.

Mentor Shala: Abdixhiku sot ia kreu punën Kurtit

Ndërkohë, analisti Mentor Shala kritikoi fjalimin e fundit të Lumir Abdixhikut, duke vlerësuar se ai i ka shërbyer politikisht Albin Kurtit.

Sipas Shalës, deklaratat e Abdixhikut i kanë krijuar hapësirë Kurtit për ta fajësuar LDK-në dhe për të synuar elektoratin e saj.

Në përgjithësi, debati u karakterizua nga analiza të ndryshme mbi krizën e brendshme të LDK-së, mundësinë e ndryshimit të lidershipit dhe ndikimin që këto zhvillime mund të kenë në skenën politike të Kosovës. /GAZETA10/

Emisioni i plotë:

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.