
Raporti: Saranda Aliu
Për dy ditë, me qindra seanca gjyqësore janë anuluar, si shenjë revolte pas vendimit të qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Mbi 150 seanca u anuluan vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa Apeli anuloi 22. Edhe Prokuroritë Themelore po i trajtojnë vetëm rastet e natyrës urgjente.
Për të dytën ditë radhazi po punohet me shërbime të reduktuara.
Mbi 150 seanca nga e enjtja janë shtyrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ndërsa, Apeli anuloi tetë seanca të premten e 14 të enjten.
Kjo si shenjë revolte pas vendimit të qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve.
Vetëm shërbimet esenciale po i kryen edhe Gjykata Themelore në Ferizaj me degët e saj në Kaçanik, Shtime dhe Shtërpcë ku për dy ditë janë shtyrë 95 seanca gjyqësore.
72 seanca janë pezulluar nga Gjykatorja e Gjakovës me degët e saj në Malishevë dhe Rahovec.
Këtyre institucioneve Këshilli Gjyqësor i Kosovës, u kërkoi të merren vetëm me shërbime esenciale.
“Rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme, ekzekutimi i vendimeve penale, çështjet e dhunës në familje, çështjet e sigurimit të kërkesë padisë, përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës, procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim, të gjitha shërbimet administrative.”
Gjykata Themelore në Gjakovë
Ndërkaq, kërkesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës po e respekton edhe Prokuroria Themelore në Pejë.
Përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta anuloj vendimin e fundit për uljen e pagave.
Të njëjtit kanë thënë se nëse ekzekutivi nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera. / Kanal10