
Në ceremoninë e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky është një moment historik, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se po aplikohet në BE duke marrë parasysh aspiratat dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit të Kosovës për paqe, liri dhe drejtësi.
“Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri dhe drejtësi, orientimi tonë të qartë europianë dhe euroatlantik besimin në vlerat fundamentale të Bashkimit Europian, konzensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Europian, sot po bëjmë hapin e parë drejtë anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe dhe prosperitetit në Europë, Bashkimin Europian”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka thënë se me këtë moment historik po hapet një kapitull i ri për shtetin dhe shoqërinë.
“Është ky një moment historik për vendin tonë, që synon hapjen e një kapitulli të ri, për shtetin dhe për shoqërinë tonë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se progresi në këtë rrugë do të varet nga përkushtimi për reformat në disa rrafshe.
“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe trasnsformuese, të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, ka thënë më tej Kurti. / Gazeta10.