Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Aprovohet kërkesa e Thaçit, i shtyhet shqyrtimi i paraburgimit deri më 19 dhjetor

Gazeta10
17 Nëntor 2022 - 14:57

Gjykatësi i procedurës, Nicolas Guillou, ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, ku me anë të vendimit të marrë ka shtyrë shqyrtimin e radhës të paraburgimit të Hashim Thaçit deri më 19 dhjetor.

Ai ka udhëzuar mbrojtjen që të dorëzojë shkresën, me anë të së cilës Thaçi heq dorë nga rishikimi i paraburgimit, deri më 15 nëntor 2022, shkresë e cila është dorëzuar nga mbrojtja.

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar një ndryshim të afatit kohor në mënyrë që të jepte një përgjigje ndaj parashtresave për paraburgim pasi të zgjidhej një çështje dhe pasi të bëhet shqyrtimi i ndonjë zbulimi pasues të provave.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kanë ndihmuar e nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat për parandalimin e tyre.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.