Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Arian Tahiri: Kurti e çoi Kosovën në zgjedhje, refuzoi konsensusin për presidentin

Gazeta10
21 May 2026 - 16:57

Arian Tahiri, ish-deputet  i Partisë Demokratike të Kosovës ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti si përgjegjësin kryesor për krizën politike dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Tahiri tha se sipas PDK-së, përgjegjësia për mungesën e konsensusit politik bie mbi Kurtin dhe mënyrën se si ai ka udhëhequr procesin politik pas zgjedhjeve.

Sipas tij, kryeministri në detyrë nuk ka treguar vullnet për të arritur marrëveshje politike me partitë tjera parlamentare.

“Është veç një person, nuk është as subjekt politik, është veç një person, është Albin Kurti. Fajtori kryesor, shkaku kryesor se vendi po shkon zgjedhje është Albin Kurti. Sjellja e tij e papërgjegjshme… dhe mungesa e vullnetit të tij politik që me e mbërri konsensusin”, tha ai

Tahiri shtoi se është hera e parë që Kosova shkon në zgjedhje në një situatë kur partia fituese kishte marrë mbi 50 për qind të votave. Ai kritikoi Kurtin edhe për mënyrën e menaxhimit të procesit të zgjedhjes së presidentit, duke thënë se PDK kishte kërkuar marrëveshje politike dhe pajtim për procesin, por sipas tij, Vetëvendosje kishte insistuar vetëm në emra konkretë.

“Është hera e parë që vendi jonë shkon në zgjedhje në kohën kur Albin Kurti i ka fitu 51.1 për qind të votave…Ne kemi thanë: ti i ke 57 numra, na i kemi 22, bashkërisht munum me zgjedh presidentin… Eja arrijmë marrëveshje për formën dhe procesin”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se PDK kishte ofruar edhe mbështetje për një kandidat konsensual. Sipas ish-deputetit të PDK-së, insistimi i Kurtit në emra individualë pa marrëveshje paraprake politike ka qenë arsyeja pse procesi ka dështuar.

“Te kandidati konsensual nga familja Jashari e kemi ofru mbështetjen e plotë, pa asnjë rezervë. Përderisa ne kemi qenë duke fol për procesin, për formën, ai përcjell emra”, deklaroi Tahiri.

Tahiri akuzoi Vetëvendosjen se ka përdorur krizën politike për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike dhe sociale në vend.

“Qëllimi ka qenë i Lëvizjes Vetëvendosje me e humbë vëmendjen prej temave e sfidave aktuale të kohës e me i prodhu sfida politike”, tha ai.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin ndryshimin politik.

“Kosova ka nevojë mu ndryshu, ka nevojë mu kthy në epokën e saj të zhvillimit, të respektit, të mirëqenies”, deklaroi Tahiri./Telegrafi

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.