
Mbrojtësi i Malishevës, Arlind Veliu është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e tetë në Superligën e Kosovës.
Veliu shënoi në sfidën kundër Suharekës, të cilën Malisheva e fitoi me rezultat 1-3.
Me këtë fitore, Malisheva vazhdon kryesimin në tabelë me 17 pikë të grumbulluara.
Pasi mori këtë çmim, Arlindi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“E kemi analizuar ndeshjen me Suharekën, e cila ka pasur një ecuri të mirë, dhe kemi arritur të përmbysim rezultatin. 20 minutat e para nuk ishim të koncentruar dhe Suhareka na krijoi disa raste, por me kalimin e kohës morëm lojën në dorë dhe e kthyem rezultatin.Objektivi ynë është të jemi në Europë, por kemi lojtarë shumë të mirë dhe mund të dalim kampion. Kemi një ekip shumë stabil, kemi lojtarë të talentuar dhe një përbërje të shkëlqyer. Shpresojmë që të arrijmë objektivin tonë në fund. Jo vetëm unë, por të gjithë ekipi jemi në formë të mirë dhe shpresojmë që të mbajmë këtë formë deri në fund. Ky çmim nuk është vetëm im, por i gjithë bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik që më kanë dhënë mundësinë të paraqitem mirë në çdo ndeshje. Shpresoj që të gjithë lojtarët e Malishevës të marrin këtë çmim.”
23-vjeçari këtë edicion në Superligë ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me dy asistime.