
Policia e Kosovës ka arrestuar sot një inspektor, me inicialet A.H., nën dyshimin për keqpërdorim të punës zyrtare. Ai dyshohet që ka mashtruar në raportin e tij zyrtar, duke thënë se ‘një punëtor është rrëzuar në shtëpinë e tij’, ndërsa ai ishte rrëzuar në vendin e punës për çfarë kishte pasur edhe fakte.
“Sot më datë 26.06.2023, hetues kompetentë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë nga Policia e Kosovës, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti për Krime të Rënda), pas disa veprimeve hetimore, operative dhe taktike, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin me iniciale (A. H; inspektor i punës në ministri) për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Aty bëhet e ditur se dyshohet se personi i lartcekur ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe përkundër fakteve, përpilon ‘raport zyrtar’ për hetimin e aksidentit, duke mos paraqitur gjendjen faktike.
“Personi i lartcekur ka dalë në vendin e ngjarjes, gjegjësisht në një vend punishte të një kompanie, në të cilën vend punishte ishte lënduar një punëtor i kësaj kompanie, duke marrë lëndime të rënda trupore dhe i njëjti (Inspektori i Punës A.H.) edhe pse ishte venë në dijeni edhe nga hetuesit policor se punëtori ishte lënduar në vendin e tij të punës, për çka kishte edhe dëshmi video-incizim dhe dëshmitar eventual, i dyshuari përkundër këtyre fakteve, përpilon ‘Raport Zyrtar’ për Hetimin e Aksidentit, duke mos e paraqitur gjendjen faktike/reale në ketë raport, por ka potencuar se viktima ishte rrëzuar në shtëpinë e tij, duke i bërë favor me këtë rast pronarit të kompanisë punë kryese”, thuhet aty.
Po aty bëhet e ditur se lidhur me rastin është kuptuar edhe nga dëshmitë relevante të siguruara përgjatë veprimeve hetimore se viktima nuk ka pasur fare kontratë të punës, porse e njëjta është proceduar në ATK një ditë pasi që ka ndodhur aksidenti/lëndimi në punë i viktimës.
“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari i lartcekur me inicialët (A. H.), dyshohet se ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas kodit penal të RKS-së’”.
Në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, personit në fjalë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.