
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë me dije kryeministrit Albin Kurti, se menjëherë duhet t’i tërheq kryetarët e komunave nga objektet e komunave në veri të vendit. Mirëpo, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se nëse ato objekte nuk janë për kryetarët, atëherë, për kë shërbejnë.
Një ditë para ardhjes në Kosovë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, largimin e menjëhershëm të kryetarëve nga objektet e komunave në veri të vendit.
Gjatë një interviste për BBC Radio, Escobar, po ashtu i ka kërkuar shefit të qeverisë që në mënyrë urgjente të nis negociatat për themelimin e Asociacionit.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Escobar.
Escobar duke folur për tensionet në veri tha se ky eskalim i situatës ishte rezultat i mosgatishmërisë nga ana e Kosovës për të dëgjuar komunitetin ndërkombëtar.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”, u shpreh Escobar.
Escobar shtoi se të dyja palët kanë përgjegjësi për shtensionimin e situatës atje.
Për gjigantin mediatik nga Britania, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mëngjes.
Kurti, i është përgjigjur Escobarit, duke ka thënë se objektet komunale atje, duhet t’iu shërbejnë kryetarëve.
“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët tanë, atëherë kujt duhet t’i shërbejnë ato. Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë e qëndrojë”, theksoi Kurti.
Teksa ka komentuar kërkesën për largimin e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, Kurti ka thënë se mund ta rishikojnë, porse vetëm me një kusht.
“Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”, deklaroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, Kosovën.
“Ne nuk mund të dorëzojmë Republikën demokratike te kjo milicia fashiste, që paguhet nga një autokrat në Beograd, që ishte edhe ministër i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk distancohen nga e kaluara nga Millosheviqi, nuk distancohen nga e tashmja nga despoti Vladimir Putin”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një-etnik. /Gazeta10