Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

AUV demanton rezultatet e pretenduara nga “Vita”: Mostrat ende në analizë

Gazeta10
06 July 2026 - 21:57

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Qumështorja Vita, e cila ka pretenduar se ka pranuar rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra më 02.07.2026.

AUV ka sqaruar se këto rezultate nuk janë zyrtare dhe se procesi i analizave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se nuk është dërguar asnjë komunikim zyrtar me rezultate.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë demanton lajmin e publikuar lidhur me pretendimet se janë publikuar rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të qumështit të marra më 02.07.2026. AUV nuk ka përcjellur asnjë email me rezultate sepse të tilla ende nuk ka”, thuhet në reagimin e institucionit.

Sipas AUV, informacionet e publikuara nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar dhe nuk burojnë nga institucioni.

“Ky lajm nuk paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit e as nuk vjen nga ne. Analizat laboratorike të mostrave të marra më 02.07.2026 janë ende në proces përpunimi dhe nuk kanë përfunduar”, theksohet më tej.

Institucioni ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të analizave dhe verifikimit nga autoritetet kompetente.

Në këtë proces është zhvilluar edhe një takim me përfaqësues të industrisë së qumështit, përfshirë Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, ku është ritheksuar rëndësia e komunikimit vetëm të rezultateve zyrtare.

AUV u ka bërë thirrje mediave dhe palëve të interesuara që të mos publikojnë informacione të paverifikuara dhe të presin komunikimet zyrtare të institucionit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.