Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Babai im nuk donte të vdiste pa e treguar këtë” – Ahmeti rrëfen dëshminë e një serbi për luftën

Gazeta10
28 July 2026 - 23:13

Gazetari dhe moderatori i emisionit Adresa, Arben Ahmeti, ka ndarë një rrëfim të lidhur me një investigim të zhvilluar pas luftës në Kosovë, ku ai dhe gazetari Fidan Rama udhëtuan drejt Serbisë për të takuar një dëshmitar që pretendonte se kishte informacione për zhdukjen e trupave të viktimave të luftës.

Ahmeti tregoi se bëhej fjalë për një person me emrin Ivan P., i cili jetonte në Serbi dhe kishte kërkuar të fliste me një media kosovare të besueshme.

“Na kishte ardhur një dëshmi e çuditshme e një djali që donte të rrëfehej për një media kosovare. Jetonte në Serbi, e kishte emrin Ivan P. dhe kërkonte të komunikonte me gazetarë kredibilë. Dikush ia kishte sugjeruar emrin tonë, kam përshtypjen nga kolegët ndërkombëtarë që punonin me ne në periudha të ndryshme,” tha Ahmeti.

 

“Për mua ishte hera e dytë që hyja në Serbi, ndërsa për Fidanin hera e parë. Shkuam atje, takuam Ivanin nga Bori dhe zbuluam gjëra shumë interesante.”

Sipas Ahmetit, Ivani kishte rrëfyer se babai i tij kishte parë një kamion që hidhte trupa në shkritoren e Borit, për të cilët dyshohej se ishin sjellë nga Kosova.

“Ivani, bashkë me babanë e vet, rrëfente se ai kishte parë teksa hidheshin trupa në shkritoren e Borit, trupa që dyshohej se vinin nga Kosova. Ivani thoshte se babai i sëmurë i kishte thënë se nuk donte të largohej nga kjo botë pa e bërë publik këtë rrëfim. Ai ishte në gjendje të na tregonte edhe në pronësi të kujt ishte kamioni. Ne morëm foto, dëshmi dhe u përpoqëm të diskutonim edhe me pronarin e kamionit,” u shpreh Ahmeti.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.