
Aktivisti shqiptar në SHBA, Harry Bajraktari, ka shprehur mirënjohje për kongresmenin amerikan Keith Self për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe aspiratës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë si rrugën më të sigurt drejt paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Në një reagim në Facebook, Bajraktari theksoi se gjatë një seance të Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmeni Self bëri thirrje për rritjen e presionit diplomatik ndaj vendeve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe paralajmëroi për rritjen e ndikimit rus në rajon.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në të njëjtën seancë është mbështetur nisma për emërtimin e objektit të Ambasadës amerikane në Prishtinë me emrin e kongresmenit Eliot Engel, të cilin e cilësoi si një mik të madh të shqiptarëve.
Bajraktari vlerësoi se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm historik dhe bëri thirrje që udhëheqësit në vend ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të avancuar drejt integrimeve euro-atlantike.