
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se aktualisht nuk ka marrëveshje për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por ka theksuar se marrja e postit të presidentit nga LDK-ja do të shërbente si mekanizëm për balancimin e pushteteve.
Ajo u shpreh gjithashtu se do ta vlerësojë çdo marrëveshje vetëm pasi të njihen detajet e saj, duke ritheksuar kundërshtimin e saj ndaj mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
“Tani, siç e dini nuk ka marrëveshje, domethënë, momentin kur ne po flasim dhe tash kur e kemi takimin, nuk ka marrëveshje, nuk ka koalicion kështu që nuk mund të jap qëndrim për diçka që nuk ekziston në fakt. Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë më duket që insiston në pozitën e presidentit. Dhe mendoj që pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe kjo do të ishte në favor, do të ishte një siguri për Kosovën edhe do të ishte një siguri gjithashtu për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Bajrami.
E pyetur se a do të mbështesë një marrëveshje ku presidenti nuk është i LDK-së, Bajrami tha se nuk voton marrëveshje pa e parë natyrën e saj.
“Për marrëveshjen nuk mund të them që e votoj ose nuk e votoj pa e parë natyrën e saj. Ka marrëveshje të ndryshme. Ju e dini se në vitin 2014, LDK-ja përmes një marrëveshjeje e mori postin e kryeministrit dhe gjysmën e qeverisë. Por ka edhe marrëveshje të tilla si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh. Ka edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit, dhe këtë e konsideroj një balancë të pushteteve për Kosovën. Atëherë, natyrisht, do ta konsiderojmë me shumë seriozitet.
Ajo që mund të them është se jam kategorikisht kundër shkuarjes përsëri në zgjedhje dhe jam për një marrëveshje të mirë, e cila është e mirë për Kosovën, rrjedhimisht edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë e ka pasur në plan të parë interesin e Kosovës. Kështu konsideroj se duhet të jetë. Duhet të mbizotërojë interesi i Kosovës dhe t’i mbivendoset çdo interesi personal”, tha ajo.