
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Mbi 60 shtëpi të lagjes Bushati në fshatin Gjykovc të Komunës së Shtimës po përballen me mungesë të ndriçimit publik. Ata thonë se ndihen të anashkaluar nga komuna pasi është lagjja e vetme në të cilën nuk është investuar për vendosjen e tyre. Komuna, nga ana tjetër, ka premtuar se brenda vitit 2023 do të bëhet realizimi i ndriçimit publik.
Lagjja “Bushati” është e vetmja lagje e fshatit Gjykovc të Shtimës në të cilën nuk është investuar me ndriçimin publik.
Banorët thonë se po ndihen të anashkaluar nga komuna andaj ata për të disaten herë kanë trokitur në dyert e saj për të kërkuar zgjidhje.
Mungesa e saj për banorët e mbi 60 shtëpive të lagjes po i sjell vështirësi, pasi sic thonë ata, qarkullimi gjatë natës është i rrezikshëm për fëmijët e lagjes.
E pas kërkesave të shumta të cilat nuk janë realizuar, banorët kanë dërguar edhe edhe një peticion të nënshkruar.
Drejtori i Urbanizmit, Grejtalb Emini ka thënë se kërkesa e banorëve do të realizohet pasi investimet në këtë lagje janë paraparë për vitin 2023.
Ai ka premtuar se deri në qershor të këtij viti do të përfundon ndriçimi publik.
Me mungesën e ndriçimit publik po ballafaqohen edhe fshatrat Zborc, Davidoc e Pjetërshticë, për të cilat nga komuna është thënë se brenda vitit 2023 asnjë fshat nuk do të mbetet pa ndriçim publik.