
Raporti: Valdet Ajazi /Kanal10
Banorët në rrugën “Shotë Galica” në Vushtrri, tash e disa vjet po kërkojnë vendosjen e semaforëve, pasi qasja në magjistralen Prishtinë-Vushtrri paraqet rrezikshmëri të lartë. Banorët kanë thënë se në atë pjesë kanë ndodhur edhe aksidente me fatalitet. Kanë akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për anulimin e projektit për semaforët. Komuna dhe ministria ka thënë se janë duke shqyrtuar mundësitë për të ofruar zgjidhjen më të mirë, shkruan Kanal10.
Kyçja në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, për banorët në rrugën “Shotë Galica” të Vushtrrisë vazhdon të jetë e rrezikshme.
Sipas banorëve, ndër vite kjo rrugë ka sjell aksidente përfshirë edhe ato me fatalitet.
Përveç peticionit, banorët edhe kanë organizuar protesta pasi që sipas tyre, projekti për vendosjen e semaforëve aty është anuluar nga Ministria e Infrastrukturës.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se janë në procedura se si të bëhet zgjidhje nëpër disa zona të Komunës së Vushtrrisë.
Për kërkesat e banorëve, kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka thënë se kanë zhvilluar takime me zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe se po shqyrtojnë zgjidhjen më të mirë.
Banorët kanë paralajmëruar protesta edhe para Komunës së Vushtrrisë, nëse nuk bëhet zgjidhje për ta. /Gazeta10