Gjykimi Special

Bashota thotë se kurrë s’është interesuar se kush i shkroi komunikatat e UÇK-së gjatë periudhës 1998-1999

Gazeta10
04 Dhjetor 2024 - 14:46

Sokol Bashota tha se kurrë nuk është interesuar se kush i ka shkruar komunikatat e UÇK-së gjatë periudhës 1998-1999 dhe se nuk e di se kush i ka shkruar ato.

Madje, ai tha se gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm kurrë nuk ka pyetur se kush i shkruante dhe nga ku shkruheshin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Personalisht kurrë nuk jam interesuar me e ditë dhe nuk e di. Nuk jam marrë me to dhe thash që e kam hjek herët mendjen për shkrimin e atyre komunikatave dhe nuk ka qenë punë që unë muj e bëj dhe realisht kurrë nuk kam pyetur për to se kush po i bën dhe kur po i bën, a po bëhen në Kosovë apo po bëhen jashtë. Unë informacion për këtë nuk kam dhe nuk muj me marrë përgjegjësi me e ngarku dikën për të cilën nuk e di”, tha Bashota.

Duke u larguar fokusi nga komunikatat, gjyqtari Christoph Barthe pyeti dëshmitarin se kush i shkruante deklaratat politike ose deklaratat e tjera në emër të Shtabit të Përgjithshëm gjatë kësaj periudhe.

Bashota tha se ka pasur mundësi që deklaratat politike të lëshohen edhe zyra e Adem Demaçit e po ashtu edhe Hashim Thaçi si drejtor i Drejtorisë Politike, por që këtë gjë nuk e di me siguri.

“Unë nuk e di saktë këtë por ka pas kompetenca, ka pas të drejtë me ba deklarata edhe komunikata më duket, edhe prej zyrës së zotit Demaçi. Për çështje të takimeve të ndryshme ndoshta ka mujt, për nuk e di dhe nuk jam i sigurt, si drejtor i Drejtorisë Politike, zoti Thaçi. Por, nuk e di saktë nëse ka mujt me e shkru ndonjë me autorësi të veten apo jo. Këtë nuk e di”, tha Bashota.

Krahas kësaj, dëshmitari u pyet se a ka pasur mundësi që Adem Demaçi ta ketë pasur autoritetin që t’i jepte urdhra anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm nëntor të ’98-ës dhe më vonë.

“Unë nuk mund të them ndonjë urdhër klasik në kuptimin e veprimit, por ndikimin e ka pas por edhe autoritetin po ashtu, thjesht Adem Demaçi ka qenë një emblemë dhe mbetet e tillë për krejt shqiptarët e Kosovës. Andaj, kurrë këtë s’kemi mujt me e nda nëse është urdhër ose është këshillë. Ka mjaftu me thanë zoti Demaçi një gjë dhe në të shumtën e rasteve dhe përpos problematikës që kemi pas më të rreh shkuarjes së delegacionit në Rambuje nuk kemi pas asnjë përplasje tjetër me të, as në koncepte dhe as në vizionin e tij”, tha Bashota.

Ndër tjerash, Bashota tha se nuk e di se kush e ka marrë vendimin për lirimin e dy gazetarëve serbë dhe dy të arrestuarve tjerë.

Me kaq përfundoi pyetjet gjyqtari Barthe për të vazhduar më pas me pyetje gjyqtari Guénaël Mettraux./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.