
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se po vepron në përputhje me qëndrimet e VMRO-DPMNE dhe kundër interesave të shqiptarëve.
Sipas reagimit të BDI-së, VLEN ka konfirmuar edhe një herë rolin që, sipas tyre, i është caktuar nga VMRO-DPMNE, duke u shndërruar në “zëdhënës kundër Shqipërisë dhe interesit shqiptar”.
Në komunikatë thuhet se kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prej javësh ka ndërmarrë sulme politike ndaj Shqipërisë, për shkak të qëndrimeve të saj lidhur me të drejtat e shqiptarëve në vend dhe procesin integrues evropian.
BDI kritikon faktin se, në vend që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesit e VLEN-it janë rreshtuar në të njëjtën linjë me VMRO-DPMNE-në.
Sipas tyre, është e papranueshme që përfaqësues shqiptarë në qeveri të përdorin gjuhë më të ashpër ndaj Shqipërisë sesa vetë partnerët maqedonas.
Në reagim theksohet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për përfaqësim që mbron barazinë, gjuhën shqipe dhe orientimin evropian të vendit, e jo për përfaqësues që, siç thuhet, shndërrohen në instrumente politike kundër interesave të tyre.
BDI përfundon se kjo periudhë do të mbahet mend si një kohë kur disa përfaqësues, ndonëse të zgjedhur në emër të shqiptarëve, sipas tyre, kanë vepruar në kundërshtim me interesat e tyre.