Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takimin e tij të parë dypalësh me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, sot në Bruksel. Kallas në takime të ndara sot takoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Anitta Hipper, ka thënë se temë diskutimi në këto takime kanë qenë zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë edhe situatën në veri të Kosovës, si dhe dialogu Kosovë-Serbi.
Këto takime të Kallas me Kurtin dhe Vuçiqin nuk janë mbajtur në kornizën e dialogut, të cilin tashmë do ta udhëheqë Kallas.
“Takimet u fokusuan në zhvillimet e fundit rajonale, duke përfshirë situatën në veri të Kosovës, procesin Beograd-Prishtinë, si dhe përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor”, ka thënë Hipper për express.
Takimin e parë Kallas e mbajti me presidentin serb nga ora 13:45, të dytin me kryeministrin Kurti nga ora 14:45, si dhe me presidentin malazez nga ora 15:45.
Hipper në një konferencë për media pak më herët gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kallas, si dhe të Komisioneres për Fqinjësi e Zgjerim, Marta Kos, në darkën joformale të presidentit të ri të Këshillit Europian, Antonio Costa, që do të shtrojë për gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor sot nga ora 20:00.
Gjithashtu, Kallas ka shkruar pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin, duke thënë se rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit.
“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”.