
Bashkimi Evropian përmes një komunikatë ka reaguar lidhur me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat veriore të Kosovës shkruan Gazeta10.
Në këtë komunikatë BE-ja tha se zgjedhjet e mbajtura në veri nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna, e kjo sipas tij, mund të arrihet vetëm nëpërmjet kthimit të përhershëm të serbëve në institucionet e Kosovës.
“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, thuhet në komunikatën e BE-së.
BE-ja kërkoi që institucionet kosovare ta mundësojnë kthimin e serbëve në institucione por edhe themelimin e Asociacionit sa më shpejt.
Sipas Bashkimit Evropian, pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje tregon se ky proces nuk mund të konsiderohet i zakonshëm.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, ka thënë se zgjedhjet në Veriun e Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat përkatëse.
Ai ka shtuar se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjente.
”Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë janë urgjente sikurse është dialogu serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri”, ka shkruar Stano në Twitter.
Në zgjedhjet lokale të 23 prillit kanë marrë pjesë 3.47 e qytetarëve me të drejtë vote.
Ato zgjedhje janë bojkotuar nga Beogradi, subjekt haptazi i lidhur me Beogradin zyrtar.
Ndërkaq institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se serbët e Veriut janë të kërcënuara nga grupet kriminale të lidhura me Beogradin./Gazeta10