
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e para të xhiros së 29-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
E veçanta e ditës së sotme është se dy përballjet përfunduan me rezultat të barabartë, me ç’rast edhe Drita edhe Ballkani lëshuan pikë të rëndësishme në garën për titull.
Në Gjilan, Drita barazoi 1-1 me Trepçën ’89, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.
Holin për gjilanasit e shënoi Krasniqi nga penaltia në minutën e 11-të, teksa për 89-shin, 13 minuta më vonë shënoi Egzon Fazliu, i cili u përkujdes për rezultatin final të takimit.
Barazim pati edhe në Therandë, ku skuadra e Malishevës në frymën e fundit realizoi përmes Maliqit për rezultatin final 2-2.
Ballkani doli i pari në epërsi me rezultat 2-0, me golat e shënuar nga Harmon dhe Kuc, teksa për malishevasit shënuan Sobowale dhe Maliqi.
Pas këtyre rezultateve, Drita mbetet e para në tabelë me 56 pikë, e ndjekur nga pas prej Ballkanit, i cili pozicionohet i dyti me 55 pikë.
Në anën tjetër, me këtë barazim, Malisheva e gjen veten në pozitën e 7-të me 30 pikë, gjersa me aq pikë, në vendin e 8-të gjendet skuadra e Trepçës ’89, pozitë e cila të dërgon në barazh.