Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Begaj: Kosova e lirë dhe e pavarur, është amanet i Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit

Gazeta10
15 February 2023 - 22:15

Me rastin e 15-vjetorit të shtetit të pavarur të Kosovës, ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen e sotme një pritje ku të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë, politikanë, ambasadorë e  përfaqësues të komuniteteve fetare.

 I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij vlerësoi konsolidimin e shtetit të Kosovës në këto 15 vite.

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euroatlantik. Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.”, ka thënë Begaj.

Tutje, Begaj ka shprehur edhe mbështetjen që Shqipëria vazhdon t’ia jap Kosovës për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë”, theksoi ai.

Begaj, vlerësoi mbështetjen që kanë dhënë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

Shqipëria, sipas presidentit shqiptar, mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjellët dhe respektimi i minoriteteve.

Në fjalën e tij, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi foli për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.

Durmishi, vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë dhe vuri theksin tek 180 marrëveshjet ndërshtetërore, duke konsideruar si marrëveshje historike marrëveshjet për hekurudhën Durrës-Prishtinë, porti i thatë i Prishtinës, abetarja unike, vendkalimet kufitare.

Fotografi nga takimi

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.