
Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10
Arrestimin e tij po e quan të orkestruar kryekëput nga pushteti.
Avokati Besnik Berisha, ka akuzuar prokurorin, Rasim Maloku, se e arrestoi me direktiva të Qeverisë.
Ai thotë se shkak ishin deklaratat e tij, një natë para arrestimit, më të cilat, sipas tij, i demaskoi mashtrimet e pushtetit.
Sipas Berishës, prokurori Rasim Maloku ka abuzuar me detyrën e tij për ta arrestuar atë.
Berisha ka vazhduar akuzat edhe ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke e quajtur të padijshme për postin që mbanë.
Ndaj deklaratave të avokatit Besnik Berisha, kanë reaguar nga kabineti i ministres Haxhiu.
Genc Nimoni, shef i kabinetit të Haxhiut, ka thënë se do ta padisin Berishën për shpifje.
“Kur shpifjet dhe akuzat mbesin argument kryesor. Dhe ende më keq, kur kjo bëhet nga të dyshuar të Prokurorisë për vepra penale. Dy ditët e fundit, jemi dëshmitarë të shumë të pavërtetave dhe akuzave të rënda në drejtim të Ministrisë dhe Ministres Haxhiu. Kjo bëhet në studio televizive dhe hapësirë publike, duke mos kursyer fjalët më shpifëse dhe ofenduese, e të cilat bien në kundërshtim edhe me etiken dhe sjelljen profesionale të cilën do të duhej ta kishte një avokat. Për çdo keqardhje niveli dhe gjuha e tillë. Madje shqetësuese ishin edhe deklarimet të cilat shkonin deri në nivel kërcënimi për zyrtarë shtetëror”.
Arrestimi i avokatit Besnik Berisha, u bë nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave‘ dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Megjithatë, gjykata nuk e kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke e liruar atë.