Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Berisha e bën të kryer: Bekim Sejdiu, President i Kosovës – urime të përzemërta!

Gazeta10
31 August 2026 - 18:15

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha e ka uruar Bekim Sejdiun, për emrin e të cilit për Presidenti u dakorduan sot kryministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Berisha e ka bërë të kryer zgjedhjen e Sejdiut në pozitën e shefit të shtetit, duke i uruar atij “suksese dhe mbarësi”.

“Zoti Bekim Sejdiu, President i Kosovës. Të dashur miq, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje zoti Albin Kurti si dhe z. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, firmosën marrëveshjen për të zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës zotin Bekim Sejdiu, një personalitet i shquar i Kosovës në fushën e jurisprudencës kushtetuese (ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës) dhe në fushën e diplomacisë (ish-ambasador i Republikës së Kosovës në vende të rëndësishme)”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgoj urimet më të përzemërta zotit Bekim Sejdiu për postin e lartë te Presidentit të Kosovës. I uroj shumë suksese dhe mbarësi në këtë detyrë të lartë, në realizimin e integrimit të Kosovës në BE e NATO, si dhe në forcimin e kontributit të saj për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal!”, shtoi Berisha.

Kreu i PD-së e ka uruar edhe Kurtin e Abdixhin për marrëveshjen dhe përzgjedhjen “dinjitoze”.

“Gjithashtu, me këtë rast uroj përzemërsisht Kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja, dhe kryetarin e LDK-së, z. Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur dhe për përzgjedhjen e tyre dinjitoze në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.