Lajme

Berisha sërish akuza Bashës: Për fondet ruse, më thoshte se janë nga diaspora

Gazeta10
16 Shtator 2022 - 14:54

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, gjatë një takimi me gazetarët tha se ai është mashtruar nga Lulzim Basha në lidhje me financimin rus gjatë zgjedhjeve, ndërsa kjo dosje është mbyllur pa asnjë hetim nga prokuroria.

“Lulzim Basha, i pyetur nga unë se çfarë qëndron pas këtij artikulli, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare ne SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit që Basha mbahej peng dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë, me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs të çështjes në Gjykatën e Lartë. Unë e kam denoncuar këtë akt nga foltorja në foltore. Më vonë jam informuar se Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në diasporë”, theksoi kreu i PD-së.

Disa ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014, mes tyre edhe Shqipërisë.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazmë”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha e mohoi këtë duke deklaruar se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”./Top Channel

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.