Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Besnik Tahiri akuzon Qeverinë për dështim institucional: Qytetarët të lënë vetëm përballë vërshimeve dhe zjarreve

Gazeta10
08 Janar 2026 - 20:33

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri  ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë në detyrë, duke e akuzuar për shpërfillje dhe dështim institucional përballë krizave të fundit në vend.

Tahiri ka deklaruar se për 5 vite me radhë Qeveria ka vepruar sikur Kosova të mos përballej me kriza, duke relativizuar çdo alarm dhe duke shtyrë përgjegjësinë. Sipas tij, qytetarët janë trajtuar vetëm si numra votash dhe jo si nevoja reale, shkruan Gazeta 10.

“Kur gjysma e vendit ndodhet nën ujë, qeveria sillet me një shpërfillje të papranueshme. Rehatia e rezultatit elektoral ka marrë përparësi ndaj jetës, pronës dhe dinjitetit të njerëzve,” ka theksuar Tahiri.

Ai ka përmendur edhe rastin e zjarrit që përfshiu një nga bizneset më të mëdha në Gjakovë, duke kritikuar mungesën e plotë të reagimit institucional.

“Nuk pati as prani, as përgjegjësi, as fjalë,” ka deklaruar ai, duke shtuar se propaganda ka zëvendësuar veprimin konkret.

Sipas Tahirit, në vend të reagimit të menjëhershëm dhe krijimit të një task-force kombëtare me përfshirjen e institucioneve qendrore, lokale dhe kapaciteteve private, po përsëritet një skenar i njohur: vonesa dhe reagim vetëm pasi dëmi bëhet i pakthyeshëm.

Ai ka vlerësuar se situata aktuale nuk është vetëm një fatkeqësi natyrore, por edhe një dështim i drejtpërdrejtë i shtetit, duke përmendur mungesën e koordinimit dhe reagimin e vonuar si përgjegjësi institucionale, shkruan Gazeta 10.

Tahiri ka akuzuar gjithashtu qeverinë se po i sheh komunat përmes ngjyrave elektorale, ndërsa qytetarët po përballen vetë me vërshimet. Me uljen e temperaturave dhe rritjen e numrit të familjeve të mbetura pa strehë, ai ka kërkuar shpalljen e emergjencës kombëtare dhe veprim të menjëhershëm.

“Mos flini më. Zgjedhjet kanë përfunduar. Është koha të veproni,” ka përfunduar Tahiri./Gazeta 10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.