Lajme

Besnik Tahiri thotë se Ramush Haradinaj do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës

Gazeta10
29 Shtator 2024 - 21:43

Kryetari i Grupit Parlamnetar të AAK-së, Besnik Tahiri, në tubimin e mbajtur sot në Bern të Zvicrës, kryetarin e partisë Ramush Haradinaj e ka quajtur kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Ai ka thënë se vendi nuk ka kohë për eksperimente dhe se të gjitha elementet që e formësojnë një shtet e kanë emrin Aleancë dhe Ramush Raradinaj.

Tahiri ndërsa ka folur se ku gjendet aktualisht Kosova në rrafshin ndërkombëtar, ka thënë se si ka mundësi që një vend që është më pro perëndimor dhe më pro amerikanë, të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, dhe shteti që e ka sulmuar Kosovën më 24 shtator të vitit të kaluar, të mos jetë nën sanksione?

Postimi i tij i plotë:

Vëllezër dhe motra,

Të dashur bashkatdhetarë,
Në këtë të diel që na jeni bashkuar, faleminderit për kohën që po e ndani me ne!

Më lejoni që fillimisht të shprehi mirënjohje dhe falënderim për të gjithë ata që janë angazhuar që kjo ngjarje të jetë madhështore. Njëkohësisht, të falënderoj dhe përshëndes kolegët: Palin, Timen, Diellzën, Gjeneral Lahi Brahimaj, profesor Artanin kolegu nga koalicioni, Bashkimi kryetari më i miri në Ballkanin Perëndimor, dr. Arbër Tolaj, pastaj kolegët Ukë Blakaj, Can Tahiri, Endrit Thaçi, Nazmi Jakurti, Selim Hoti, Astrit Kuçi, Bajram Ulaj e Arif Ahmet Gjekaj.

Çështjet që sot dua t’i them, janë të vlefshme për këtë tubim përmbajtjesor. Mesazhet politike të cilat do duhej t’u shkonin në vesh secilit shqiptar që frymon dhe mendon shqip i dha kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Dua të ndaj me ju një thënie që mësova nga profesori im gjatë studimeve të mia në Angli: Për të marrë përgjigjen e duhur, duhet të bëjmë pyetjet e duhura.

Pyetja ime e parë për ju është: Ku është Kosova sot?

A është Kosova e shpresës dhe a është Kosova që ne e duam? A është Kosova që ju keni punuar për ta ndërtuar? A është Kosova e vizionit të Ibrahim Rugovës e kolegëve të tij të viteve të ’90-ta, të ushtarëve të lirisë të fundviteve të ’90-ta, dhe a është Kosova për të cilën u sakrifikuan me mijëra dëshmorë e veteranë?

Përgjigja është jo!

Kosova sot vuan nga dobësitë e brendshme: mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, tenderët për miq e shokë dhe shkelja e të drejtave të njeriut dhe fjala e lirë. Punësimi me nepotizëm dhe varfëria kanë lulëzuar. Situata është e pashpresë dhe meriton ndryshim. Sot, Kosova i ka 1.5 milionë banorë. Dhe, ikja masive ka ndodhur në katër vitet e fundit, kjo gjendje është e pashpresë dhe meriton shpresë.

Ku është Kosova në rrafshin ndërkombëtar? Si ka mundësi që një vend që është më pro perëndimor dhe më pro amerikanë, të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, dhe shteti që e ka sulmuar Kosovën më 24 shtator të vitit të kaluar, të mos jetë nën sanksione?

Si ka mundësi që të gjitha programet mbështetëse të Evropës e të ShBA-së të ndalen? Si ka mundësi të përjashtohet Ushtria jonë nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe 2023”? Si ka mundësi që me secilin të ketë një komunikim përulës, një komunikim të papërgjegjshëm.

Kosova sot, nuk është mirë.

Pyetja e dytë është se: Çka e pret Kosovën?

Zhvillimet gjeopolitike, si lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, kanë zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare. Kosova është larg orbitës së interesit strategjik për partnerët tanë perëndimorë, duke i lënë hapësirë armiqve tanë. Kosovën e presin sfida të mëdha të konsolidimit të politikës së brendshme dhe të forcimit të vetë ndërkombëtar.

Kosova ka nevojë për miq

Pyetja e tretë është: Cila është adresa që do ta drejtojë Kosovën në rrugë të drejt!

Nuk kemi kohë për eksperimente. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj gjatë rrugëtimit të saj ka kaluar sfida dhe sfiduese. Mirëpo, ne jemi ballëhapur para çdo sfide dhe vendimi që kemi marrë, duke e mbrojtur interesin e kombit dhe të Kosovës. Vendimet e Ramushit dhe të Aleancës do të jetojnë aq sa do të jetonë kombi shqiptar dhe Kosova. Nuk jemi të pagabueshëm, edhe ne kemi bërë gabime, por asnjëherë nuk kemi gabuar për ta lënë Kosovën me plagë. Të gjitha elementet që e formësojnë një shtet e kanë emrin Aleancë dhe Ramush Raradinaj.
Kjo është adresa e së ardhmes.
Për një Kosovë ndryshe!

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.