
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth Superligës së Kosovës, kombëtares së Kosovës dhe rreth Ligës së Parë.
Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Liridon Leci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Sunaj Keçi e Omer Bunjaku, drejtor sportiv i Ballkanit.
Drejtori sportiv i Ballkanit, Omer Bunjaku tregoi se janë të kënaqur me ekipin që posedojnë dhe se nëse ka nevojë do të ketë ndryshime.
“Besojmë të lojtarët që kemi, nuk do të ketë ndryshime, mirëpo nëse në janar largohet ndonjë lojtar atëherë do të veprojmë” – tha ai.
Tutje, ai foli pak për ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit.
“Sipas llogarive të mia askush nga Kosova nuk ka fituar ndaj Dinamo Zagrebit, normalisht që është një ndjenjë e mirë, mendoj se kemi kualitet të përballemi me kundërshtar të tillë” – vazhdoi ai.
Në vazhdim, Bunjaku foli pak edhe për ambiciet e synimet e Ballkanit për të ardhmen e afërt.
“Në të ardhmen e afërt me kryesinë e Ballkanit kemi vendosur që të synojmë Ligën e Evropës, nuk e fshehim këtë objektiv” – përfundoi ai.