
Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Në Universitetin e Prishtinës ka rënë numri i aplikimeve për vitin e ri akademik. Ndër arsyet kryesore, sipas Rektoratit të UP-së, është edhe ikja e rë rinjve. Nga organizatat studentore kanë thënë se arsye pse ka rënë interesimi, është edhe mungesa e vendit të punës pas diplomimit. Ndërkaq, profesorët kanë përmendur shkaktarët e rënies së numrit të aplikimeve, derisa kanë thënë se edhe ashtu, tregu i arsimit të lartë në Kosovë, është i ngarkuar.
Ikja e të rinjve nga Kosova nuk ka prekur vetëm kompani e biznese të shumta.
Largimi nga vendlindja, ka filluar të vërehet edhe në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast sivjet janë regjistruar shumë më pak aplikime.
Për dallim nga viti i kaluar, sivjet janë 1800 kandidatë më pak që kanë aplikuar për t’i vazhduar studimet në universitetin më të madh publik në vend.
Nga Rektorati i Prishtinës, kanë thënë se ndër faktorët e rënies së numrit të aplikimeve janë edhe lëvizjet e brendshme dhe të jashtme të të rinjve kosovarë.
“Ndër arsyet që mund të ketë ndikuar në uljen e numrit te aplikimeve është edhe fakti se numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë dhe kjo është reflektuar edhe në numrin e aplikimeve ne UP. Pastaj, në disa vite akademike, Universiteti i Prishtinës ka regjistruar vetëm studentë të rregullt dhe jo studentë me korrespodencë. Gjithashtu aspekti demografik, lëvizjet e brendshme dhe të jashtme te rinjve të Republikës së Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.
Ndërkohë, nga organizatat studentore të UP-së kanë thënë se mungesa e vendeve të punës pas diplomimit i ka bërë shumë të rinj që të mendojnë të largohen papërfunduar as ciklin e studimeve bachelor në Kosovë, ndërsa kanë renditur edhe arsye të tjera.
Festim Tasholli nga organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”, ka thënë se e kanë vënë re që në shumë fakultete të Universitetit të Prishtinës ka rënie të aplikimeve.
Ndërsa, profesoresha universitare, Besa Luzha ka thënë se nuk është e domosdoshme që të rinjtë të vazhdojnë patjetër me studime, pasi sipas tij, tregu i arsimit të lartë në Kosovë është i ngarkuar.
Ndryshe, mbi 6100 të rinj kanë aplikuar për të vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 2023/24, derisa UP-ja do të hapë konkurs plotësues edhe për 2700 vende të lira në fakultetet e saj.
Nga këta që kanë aplikuar, nga Rektorati i UP-së kanë thënë se cilat janë programet më të kërkuara për vitin e ardhshëm akademik që do të nisë më 1 tetor, janë programi Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, Juridik, Stomatologji, Psikologji, Arkitekturë, Gjuhë Angleze dhe Gjermane./Gazeta10