10 LIVE

Bislimi: Absurde që në një konferencë për sigurinë, Serbia të pranojë që ka elemente kriminale që duan ta cënojnë sigurinë

Gazeta10
27 Tetor 2022 - 22:03

Zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, i është pamundësuar vizita në Beograd ku ishte planifikuar të merrte pjesë në dy konferenca atje. Më pak se 100 km para se të arrijë në kryeqytetin serb, Bislimi u kthye prapa, sepse Serbia s’ka mundur t’i ofrojë siguri, raporton Gazeta10.

Bislimi, në një reagim në Facebook, tha se është absurd që Serbia, në një konferencë për sigurinë, të pranojë që është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit dhe që ka elemente që duan të cënojnë sigurinë.

“Sot dhe nesër ka qenë e paraparë të jem pjesë e dy konferencave me rëndësi në Beograd, në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile, ku është dashtë të diskutohet për Kosovën dhe udhëtimit drejt Evropës për rajonin, si dhe në Forumin e Sigurisë së Beogradit, pjesë e një diskutimi për dialogun Kosovë-Serbi. Pra, katër koncepte me rëndësi: marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu.

“Kemi patur të parapara disa takime të tjera dhe invervista për media në Beograd e media të Kosovës atje. Për këtë, ne kemi paraqitur kërkesën në rrugët zyrtare që javën e kaluar dhe ajo ka qenë e aprovuar. Sot, gjithçka ka qenë e rregullt, derisa në një moment të caktuar, na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cënuar, që për ne është një sinjal që Serbia ende nuk është e gatshme që të punojë drejt normalizimit. Është absurde që në një konferencë për sigurinë, Serbia të pranojë që: 1) ka elemente kriminale që duan ta cënojnë sigurinë; 2) të pranojë që është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”.

Zëvendëskryeministri kosovar ka thënë se arsyeja pse është kthyer nuk është vetëm ccështje e sigurisë, por rezistenca e Serbisë që t’i pamundësohet Kosovës që të paraqesë versionin e saj për zhvillimet në Kosovë dhe procesin e dialogut.

“Arsyeja pse jemi kthyer është dikund krejt tjetër, sepse ne kemi patur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës. Ju e dini që qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë. Si duket ka patur një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja, versioni i anës tjetër”.

Bislimi tha se ndalesa ka ndodhur diku rreth 85 km para se të arrinin në Beograd ccka, sipas tij, do të thotë se është e palogjikshme që cënimi i sigurisë të konstatohet menjëherë.

“Kjo ka mundur të ndodhte dhe në kufi, në mënyrë që ne mos ta bënim tërë këtë rrugë, por kjo ka qenë dhe dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim të raporteve me Kosovën. Edhe në Merdare ka patur vonesa dhe ka patur deklarime se gjoja nuk do të lejohet një pjesë e vizitës meqë nuk qenka paralajmëruar nga organizatorët me kohë, por ne nuk e kemi marrë këtë si provokim, më tepër ka qenë provokim ndaj organizatorëve, mirëpo ata janë kujdesur që kjo të eliminohet menjëherë”./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.