Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Për shkak të vërshimeve në Komunën e Podujevës shumë biznese kanë pësuar humbje të mëdha. Biznesi familjar i Imer Hazirit tashmë është mbyllur pasi të gjitha makineritë janë bërë të pashfrytëzueshme. Nga komuna kanë thënë se ekipi ka dal në terren për vlerësimin e dëmeve, por që presin ndihmë për kompensimin e tyre nga niveli qendror.
Që 20 vjet, dyert e kësaj punëtorie në Komunën e Podujevës kanë qenë të hapura për të gjithë.
Por, të njëjtave pritet t’u vendoset dryni.
Kjo për shkak se vërshimet që prekën këtë komunë, dëmtuan paisjet që gjendeshin brenda saj.
Pronari Imer Haziri thotë se nga kjo punëtori siguronte të ardhurat e familjes, por që tashmë rikthimin e makinerive në funksion do ta kenë të vështirë, për shkak se një gjë e tillë kushton shumë.
Hallet e Hazirit nuk përfundojnë me kaq.
Përpos dëmeve që i’u shkaktuan në punëtori, vërshimet prekën edhe shtëpinë e tij.
Ai ka thënë se ka dërguar kërkesë në komunë për vlerësimin e dëmeve dhe se presin nga ajo që t’i ndihmojë në kalimin e kësaj situate.
Ndërsa, nga Komuna e Podujevës kanë thënë se ekipi vlerësues ka dal në terren dhe është duke mbledhur të dhënat.
Bahri Selimi, Drejtori Shërbimeve Publike në këtë komunë ka thënë se presin ndihmën e qeverisë pasi sipas tij, komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për kompensim të dëmeve.
Podujeva është një ndër komunat më të dëmtuara si pasojë e vërshimeve të ditëve më parë.