
Departamenti i Shtetit Amerikan ka dalë me komunikatë pas bisedës që sekretari Antony Blinken pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Këtij të fundit, i është bërë e qartë se ata që ikën në Serbi pas sulmit terrorist, duhet të mbahen përgjegjës.
Në komunikatë, fillimisht thuhet se është biseduar për masa të menjëhershme drejt depërshkallëzimit pas tensioneve të 24 shtatorit.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka biseduar sot me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Sekretari Blinken dhe presidenti Vuçiq diskutuan rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës.” – shkruan aty.
Tutje, thuhet se Blinken e ka bërë të ditur që pjesëtarët e grupit që ikën në Serbi, duhet të mbahen përgjegjës.
Po ashtu, bëhet e ditur se sekretari amerikan ka përshëndetur vendimet për prani të shtuar të KFOR-it në veri.
“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Sekretari shprehu mbështetjen e tij për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it në reagimin ndaj kësaj ngjarjeje, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar dhe përshëndeti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë.” – bëhet e ditur tutje.
Në fund, Blinken i ka bërë të ditur Vuçiqit që duhet të “ta shoqërojë” dëpërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës dhe t’i zbatojë plotësisht angazhimet e saj në bazsë të marrëveshjes së normalizimit.