
Në një artikull të publikuar nga Bloomberg, thuhet se Bashkimi Europian po ushtron presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar një plan të ri për normalizimin e marrëdhënieve.
“Bashkimi Evropian po ushtron presion ndaj armiqve të kohës së luftës, Serbisë dhe Kosovës për të diskutuar një plan të ri për normalizimin e marrëdhënieve, por së pari duhet të lehtësojë një ndezje të tensioneve që po bllokojnë përparimin”, thuhet fillimisht.
Më tej, në artikull, Bloomberg, raporton se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të zhvillojnë negociata për dialogun më 10 dhe 11 nëntor, në takimet me presidentin francez, Emanuel Macron dhe Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri kosovar Albin Kurti udhëtuan në Paris për dy ditë negociatash të enjten për të diskutuar një propozim që një zyrtar i BE-së e përshkroi si shtytja e fundit nga blloku për të zgjidhur një mosmarrëveshje që ka zier që nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë. Secili lider ballkanik do të takonte presidentin francez Emmanuel Macron dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell veç e veç në Paris të enjten dhe të premten, sipas zyrtarit të BE-së, por foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës”, thuhet në artikull.
Gjithashtu, në këtë shkrim është cituar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili sot deklaroi se është i përgatitur dhe i interesuar për dialog.
Sipas tyre, Kurti ka pranuar ekzistencën e propozimit të BE-së, duke thënë se është i gatshëm të diskutojë “normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”./Gazeta10