Bordi i ndërmarrjes “Trainkos” ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Gleor Shalën.
Shkarkimi i Shalës është për mungesë të performacës dhe rezultatit financiar negativ ndër vite, kjo bazuar në raportet vjetore dhe pasqyrat financiare.
“Në këtë mënyrë ndërmarrja publike ishte e varur vazhdimisht nga fondet e buxhetit shtetëror”, thuhet në vendim që ka siguruar KOHA.
Arsye tjetër sipas Bordit ishte rënia e performancës në vazhdimësi dhe mosrealizimi i planit të biznesit.
“Opinionet e dhëna ndër vite nga Zyra Kombëtare e Auditimit të cilat ishin të modifikuara dhe përmbanin gjetje serioze në vazhdimësi. Neglizhenca dhe moszbatimi i detyrave financiare, mungesa e iniciativës dhe kreativitetit menaxhues për të rivitalizuar ndërmarrjen dhe mungesa e vizionit për të arritur objektivat strategjike të ndërmarrjes”, janë arsyet e renditura në vendim.
Shala ishte kryeshef i ndërmarrjes që nga viti 2014. Ndërsa në vitin 2020 atij i ishte vazhduar mandati edhe për pesë vjet nga Bordi i kaluar i ndërmarrjes. Shala është edhe mik i familjes së Adem Grabovcit, ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.