
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përkrah fuqishëm vendimin e Kryesisë së SR KEK-ut për protestën e 16 marsit 2023, ku punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do të kërkojnë rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut.
Kryesia e SR KEK-ut më 6mars 2023 ka marrë vendim që më 16 mars 2023 në orën 12:00 të mbajë protestë një orshe para Zyrave të KEK-ut në Sheshin “Nëna Terezë” duke i drejtuar kërkesën Menaxhmentit të KEK-ut për:
Ngritjen e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut me arsyetimin se
1. Ngritja e çmimeve të shportës familjare në vitet e fundit ka pasur ngritje të jashtëzakonshme. Vitin e kaluar ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike, dhe pritet që edhe sivjet të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, faktor ky për rritjen e pagave e sidomos në sektorin e energjisë.
2. Pagesat në treg për teknikë dhe inxhinierë në kompani private në Kosovë janë më të larta nga 50-100% të pagës së KEK-ut, kjo pikë mund të sjellë mungesë të theksuar të stafit se shumë teknikë e inxhinierë do ta braktisin punën në KEK. Dihet se për përvetësimin e profesionit në termocentrale duhet 3-5 vjet përvojë pune.
3. Duke u bazuar në teknologjinë e vjetruar, numrin e vogël të punëtorëve, kushtet e vështira të punës, pavarësisht të gjitha këtyre KEK-u ka arritur me sukses t’i realizojë qëllimet e prodhimit të energjisë elektrike, falë përkushtimit të madh të punëtorëve.
4. Duke u bazuar në rritjet e pagave nga Qeveria e Kosovës në sektorin publik ku sipas të dhënave zyrtare kjo rritje është nga 31-91%.
5. Për të mos mjaftuar pikat e lartcekura, dihen kushtet e vështira të punës dhe rrezikshmëria në vendin e punës (vetëm në vitin 2021 kemi pasur 35 vdekje të punëtorëve të KEK-ut nga sëmundjet që mund të jenë profesionale), në krahasim me çdo kompani tjetër.
Prandaj Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës kërkon që rritja e pagave të bëhet bazuar në të gjitha pikat e lartshënuara, kërkesë që fuqishëm përkrahet nga BSPK. /Gazeta10/