
Me rastin e hapjes së Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se është hera e parë që po bëhet një institucion i tillë në kuadër të qendrave korrektuese.
Pavijoni D në Dubravë është shndërruar në Institutin për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta.
Muralet e këtij pavijoni janë ngjyrosur nga dora e të burgosurve, në të cilin do të trajtohen 80 persona me probleme mendore, përdorues të substancave narkotike dhe personave të shtyrë në moshë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se është hera e parë që po bëhet një institucion i tillë në kuadër të qendrave korrektuese.
“Prej momentit kur kam marrë detyrën si ministre e Drejtësisë ka qenë trajtimi i të burgosurve, ka qenë pikërisht mungesa e një institucioni të veçantë profesional, me staf shëndetësor e korrektues ku do të trajtohen këta persona. Për shkak të kësaj jo rrallë herë kemi pasur situata të tentimit të vetëvrasjes në institucionet korrektuese dhe kjo në masë të madhe na ka shtyrë që të punojmë seriozisht për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës në momentin kur ka parë që ka pasur plane ideore për ta adresuar këtë institucion, ndonëse këto kanë qenë nga viti 2014 por asnjëherë qeveritë e kaluara nuk e kanë trajtuar me seriozitet, por ne kemi marrë përsipër që t’i adresojmë të gjitha nevojat të cilat kanë qenë për inaugurimin e këtij institucioni. Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri në rreth gjysmë milioni euro për investimet këto”, ka thënë Haxhiu për KosovaPress.
Derisa ka folur për kapacitetet, Haxhiu ka shtuar se nevojat janë edhe më të mëdha bazuar në numrin e të burgosurve.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani ka thënë se themelimi i këtij instituti ishte paraparë me ligj qysh në vitin 2014.
“Në këtë institucion janë financuar afër 500 mijë euro. Kryesisht do të vendosen personat me nevoja të veçanta, përfshirë personat të cilat kanë probleme mendore, rastet të cilët janë përdorues të drogave, po ashtu edhe personat e shtyrë në moshë të cilët kanë problem me ecjen, shikim, dëgjim. Më në fund po trajtohet dinjitetshëm një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë sonë”, ka thënë Dibrani.
Dibrani ka theksuar se nga sot do të fillojë vendosja graduale e personave, ku vetëm në pavijonin D janë kapacitet për 60 persona. Ndërkaq 20 të tjerë do të vendosen në pavijonin 7, i cili do të jetë aneks i këtij instituti.
Instituti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta është mbështetur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa në ceremoninë hapëse i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.