Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Burrat kosovar kërkojnë pushim prindëror

Gazeta10
16 October 2022 - 10:52

Rreth dy orë para se rrezet e para të diellit të binin mbi dritaret e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fytyra e Lip Salihut u ndriçua kur iu bë e ditur se sapo ishte bërë baba për herë të parë.

Për këtë lajm, që e mori rreth orës 4:30 të mëngjesit së 20 shtatorit të vitit të kaluar, jashtë sallës së lindjes, ai dhe bashkëshortja e tij ishin përgatitur për muaj me radhë.

“Ne, në përputhshmëri të plotë, në bazën e politikave familjare, kemi planifikuar pushimin për lindjen e vajzës sonë”, rrëfen Salihu, nga fshati Banullë i Lipjanit, për Radion Evropa e Lirë, transmeton Gazeta10.

Shkaku i Ligjit të punës në fuqi, ai është detyruar ta ruajë pushimin e tij vjetor dhe të marrë edhe një muaj pushim pa pagesë, në mënyrë që të jetë në dispozicion të bashkëshortes së tij pas lindjes dhe t’i përjetojë momentet e para të jetës së vajzës së tyre, Odetës.

“Përpjekjet e bashkërenduara të prindërve lehtësojnë rolin e barrshëm të nënës dhe sigurojnë mbrojtje dhe kujdes më të mirë për fëmijët”, thotë Salihu, me profesion mësimdhënës.

Pushimi, sipas tij, ndihmon edhe në krijimin e një lidhjeje më të fortë emocionale me fëmijën.

Dëshirën e njëjtë, për ta shijuar fillimin e një jete të re larg presionit të punës dhe afër familjes, e ndajnë edhe shumë burra të tjerë, sipas Igballe Rugovës, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK).

“Shtatëdhjetë për qind e burrave thanë [gjatë një hulumtimi] që edhe ata dëshirojnë leje prindërore. Pra, kjo është kërkesë edhe e burrave që të jenë pjesë e drejtë e rritjes së fëmijëve për një kohë të përcaktuar”, thotë Rugova./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.