Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka thënë se festivali i filmit “DokuFest” i ka sjellur miliona euro dobi ekonomike qytetit të Prizrenit.
“Në këto 22 vite po flasim për miliona euro dobi ekonomike për qytetin e Prizrenit dhe jo vetëm, po flasim për një promovim të jashtëzakonshӕm ndërkombëtar për shtetin e Kosovës, për rininë tonë, për potencialin tonë”, ka thënë ministri Çeku.
Ministri Çeku ka thënë se ky festival është një nga veçantitë me të cilat pasqyrohet Kosova e pasluftës.
“DokuFest-i është një nga veqantitë me të cilat tregohet Kosova e pasluftës në kuptimin e zhvillimit kulturor, por jo vetëm në aspektin kulturor. E dua shumë, kam qenë aty prej fillimit, kam qenë edhe pjesë përbërëse e atij organizimi”, ka thënë tutje Çeku.
Ministri Çeku është shprehur se festivali “DokuFest”, “është një punë intensive, 22 vite”.
“Janë 22 vite punë e përditshme, festivali zgjatë shtatë, tetë ndoshta edhe nëntë ditë por punohet 10 muaj për të arritur atë rezultat. Është një punë intensive, 22 vite. Për 22 vite janë shumë të rinj e të reja që kanë bërë punë vullnetare, kanë fituar shkathtësi jetësore, ka fëmijë që kanë fituar shkakthësi të reja sepse “DokuFest”-i punon shumë me të rinjtë dhe fëmijët. I përgatitë për jetën, tregun e punës. Janë mijëra filma më të mire në botë që kemi pasur mundësi me i pa në ekranain e madh në Prizren, në plotë kinema që i ka sot qyteti e para 22 vite nuk e kishte asnjë. “DokuFest”-i ka nisur si një protestë për faktin që qyteti nuk ka pasur asnjë kinema funksionale”, ka shtuar ai.