Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çështja e dinarit, Çitaku: Në vend që të diskutohet me SHBA-në, tash diskutohet në KS të OKB-së ku pyetet edhe Rusia

Gazeta10
08 February 2024 - 13:07

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për të cilin ka thënë se nuk po i dëgjoon kërkesat e ShBA-së dhe BE-së në lidhje me çështjen e dinarit.

Ajo ka thënë se në vend se kjo çështje të diskutohet me SHBA-në, tash do të diskutohet në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ku do të pyetet edhe Rusia.

“Dinari përbën më pak se 2 për qind të ekonomisë kosovare. Si simbol i Serbisë dhe institucioneve paralele duhet të hiqet, dhe askush nuk po e kundërshton Kurtin në këtë çështje – as opozita dhe as Ambasadat, por nevoja e tij për kriza, për kundërshtim ndaj aleatëve, për tendosje të situatës, po tregohet më e madhe se interesi nacional i Kosovës. Është turp që çështja e dinarit, por edhe të gjitha debatet tjera, në vend që të diskutohen në mes të Kosovës dhe Uashingtonit, tash po diskutohen në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku edhe Rusia pyetet. Autogol diplomatik! Shfaqje e keqe teatrale nga Kurti!”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

Sonte në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimit pritet të ketë një përballje Kurti-Vuçiq për punën e dinarit dhe për çështjen e strukturave paralele.

Qeveria e Kosovës njoftoi pak minuta më parë se kryeministri, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës bëhet e ditur se seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në po këtë seancë, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Serbia i ka dorëzuar të hënën një kërkesë misionit të Guajanës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë. Siç u bë e ditur sot gjatë ditës në seancë do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Serbia pretendon se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.