Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjashtë muaj në Bosnje, 6 javë në Kosovë, rrëfimi i ushtarit anglez për luftërat e Ballkanit

Gazeta10
23 August 2022 - 15:20

Raporti: Blend Aliu

U largua nga Anglia për të marrë rrugën drejt Gjermanisë, derisa krejt papritur përfundoi në Kosovë.

Michael Handerson, ish ushtari anglez, shërbeu në disa luftëra të Ballkanit duke përfshirë këtu atë të Bosnjës e Kosovës.

Ndonëse kanë kaluar disa vite prej kur ai kishte dhënë kontributin e tij në këto vende, Handerson ende i ka të freskëta kujtimet për to.

“ Isha 22 vjet kur erdha në Gjermani. Kur isha ushtar më dërguan në Bosnjë dhe në Kosovë, në Kosovë isha vetëm për 6 javë, sepse isha shumë afër përfundimit të ushtrisë në atë kohë. Kur më pa koloneli në Kosovë erdhi dhe më tha: -“ Çfarë je duke bërë këtu, ti do ta lësh ushtrinë së shpejti ? ”
Unë i thash:  – “Më trego ti mua se çfarë jam duke bërë këtu, ti je koloneli“.


Tutje 64 vjeçari anglez për Kanal10 tregon se si së bashku me 30 ushtarë të tjerë për vetëm 3 ditë rindërtuan një urë të re, e cila ishte bombarduar deri në shkatërrim.

“Isha në Bosnjë, pjesë e punës tonë ishte të ndihmojmë vendasit e asaj zone, me gjithçka që ishte e shkatërruar, aty afër ishte një urë e cila ishte bombarduar. Ne shkuam aty dhe për  3 ditë ndërtuam një urë komplet të re. Ishte interesante dhe më dha një ndjesi të mirë që ndihmova në ndërtimin e  saj, në atë urë punuam të paktën 30 persona.

Ndonëse në Kosovë ishte për një kohë më të shkurtër, Handerson ka kujtime edhe nga këtu, të cilat shpeshherë i rikthen në memorie posa t’i sheh fotografitë që i kishte bërë aso kohe.

“Në Kosovë isha për një kohë shumë të shkurtër, atje nuk isha si ushtarë por vozitja mjetet e ushtrisë. Më kujtohet kur arrita atje në Kosovë, qëndruam në një hotel. Ne kishim pak kontakt me vendasit aty”shprehet Handerson

Micheal Handerson i cili tashmë jeton në Gjermani, thotë se vendimi për t’iu bashkuar ushtrisë i la të habitur edhe familjarët e tij në Angli.

Ai tregon se nga tërë kjo përvojë Bosnja ka një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Në Bosnjë me të vërtetë jam kënaqur me atë që kam bërë, takova disa djem atje, u bëmë shokë, ata kishin kitarë me vete, në vikend bënim muzikë, pinim birra. Një fakt interesant se në Bosnjë një ushtarë kishte të drejtë të pinte vetëm dy birra në ditë” 

Michael Handerson tashmë është pranë pensionimit, gjersa aktualisht është duke punuar si vozitës kamioni për një kompani në Gjermani. 64 vjeçari gjithashtu  ka kohë që është pjesë e trupës teatrale në Bad Salzuflen.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.