Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çitaku: Me aleatët mund të kemi mospajtime, kërkojmë që procesi në Hagë të kthehet në binarë

Gazeta10
12 October 2026 - 11:58

Shefja e Grupit Parlamentar të PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se me grupet e tjera parlamentare kanë zhvilluar një diskutim përmbajtjesor lidhur me agjendën parlamentare për këtë legjislaturë.

Duke komentuar reagimet e spektrit ndërkombëtar lidhur me Ligjin për Gjykatën Speciale, Çitaku ka thënë se mospajtimet me aleatët dhe partnerët janë të natyrshme, duke theksuar rëndësinë e dialogut.

“Është shumë normale që me aleatë, me partnerë, të kemi mospajtime. Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka bërë të ditur se një nga çështjet e diskutuara ishte edhe agjenda e diplomacisë parlamentare, duke veçuar dy tema me rëndësi të veçantë për Kosovën: procesin e Apelit në Hagë dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Sipas saj, Kosova kërkon drejtësi përmes ligjit dhe me vullnet të plotë, duke mohuar se synimi është t’i shmanget përgjegjësisë përballë drejtësisë.

“Ne nuk kërkojmë t’i ikim drejtësisë, por që një proces të devijuar ta kthejmë në binarë”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se agjenda legjislative përbën një pjesë të angazhimit të Grupit Parlamentar të PDK-së në këtë legjislaturë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.