
Ish komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun dhe se nuk ka ndonjë mundësi për konflik, raporton Gazeta10.
Clark ka lavdëruar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd për të cilin ka thënë se është në kohën dhe në vendin e duhur.
“Situata në mes të Kosovës dhe Serbisë është e ndryshme. Kosova duhet të forcojë sovranitetin e saj dhe të kontrollojë pjesën veriore. Çështja e targave është një shembull i mirë për të treguar sovranitetin, por ka metoda të tjera që mund të përdoren. Ne kemi një ambasador të madh në Beogradi, Christopher Hill, i cili e kupton shumë mirë situatën. Ai ka qenë edhe ambasador në Maqedoni gjatë viteve 1998-1999. Ai është në vendin e duhur në kohën e duhur”, tha ai, raporton TV1.
Clark ka thënë se marrë parasysh kapacitetet e NATO-së nuk mund të ketë konflik në Kosovë. Ai ka thënë se fjalët për të nuk e shqetësojnë.
“Dhe në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës emëruan një ambasador të mirë. Prandaj, situata është më e sigurt në Kosovë duke marrë parasysh rolin e KFOR-it. Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë edhe nëse ka shumë dallime dhe probleme. Kjo është edhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Nuk jam shumë i shqetësuar për Ballkanin, sepse e di që NATO është aty për të ndërhyrë shpejt nëse ka destabilizim. Fjalët për luftë nuk më shqetësojnë, sepse i di kapacitetet e NATO-s”, tha Clark.
Clark ka thënë po ashtu se Kosova një ditë do të jetë anëtare e NATO-së. / Gazeta10.