
Profesori Gjon Culaj, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, ka folur për sulmin e armatosur në Banjskë, në përvjetorin e ngjarjes ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Duke komentuar zhvillimet pas sulmit, Culaj tha se mungesa e sanksioneve ndaj Beogradit e bën të vështirë një ndryshim të qasjes së Serbisë.
“Për aq kohë sa nuk ka sanksione ndaj Beogradit, Beogradi s’ka si të veprojë ndryshe”, deklaroi Culaj.
Ai u ndal edhe te Milan Radoiçiqi, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë dhe ndodhet në Serbi. Sipas Culajt, fakti që Radoiçiqi ndodhet në Serbi dhe nuk është përballur me pasoja konkrete tregon, sipas tij, kufizimet e reagimeve të deritanishme.
“Radoiçiqi e merr përgjegjësinë për sulmin, dihet botërisht që është në Serbi dhe nuk ndodh asgjë”, tha ai.CÇulaj vlerësoi se deri më tani reagimet ndaj Serbisë kanë qenë kryesisht deklarative, duke e lidhur këtë qasje me atë që ai e përshkroi si “stabilokraci”.
“Sipas meje, krejt çka ka ndodhur deri tash ka qenë deklarative, por në emër të asaj që njihet si stabilokraci”, u shpreh Culaj.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit. Në përleshjen që pasoi u vra rreshteri Afrim Bunjaku.