Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Dëgjohet dëshmitari i tetë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Gazeta10
12 June 2023 - 19:38

Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10

Gjykata Speciale ka vazhduar seancën me dëshmitarin e tetë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së pretendoi se në Bajgorë kishte qendër ndalimi ku mbaheshin persona që po bashkëpunonin me armikun. Sipas tij, aty ishte i vendosur edhe shtabi i cili i takonte Zonës Operative të Llapit. Nga pyetjet e prokurores, replikë ka pasur avokati i Thaçit, duke i quajtur spekulime.

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj ish-krerëve të Uushtrisë Çlirimtare Kosovës.

Në seancën e së hënës, është dëgjuar dëshmitari i tetë, i cili ka pretenduar në Bajgorë kishte qendër ndalimi ku mbaheshin persona që bashkëpunonin me armikun, e që sipas tij, kishte pasur edhe civilë.

Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka filluar dëshminë, duke folur për disa stërvitje të UÇK-së, që sipas tij, janë mbajtur në objektin e shkollës në fshatin Bajgorë.

Ai ka thënë se kjo shkollë i takonte Zonës Operative të Llapit, në të cilën ishte i vendosur edhe shtabi, derisa ka shtuar se aty ishte prezantuar edhe komandant Remi.

“Është prezantuar komandant Remi i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit. Në njërën prej këtyre rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij… Pas kryerjes së obligimeve të mëngjesit, rutinën ditore të cilën e kemi pasur, çdo herë ka qenë një person i cili e ka pasur një proces të cilin është dashur ta ndjek, në njërën prej këtyre ka qenë edhe prezantimi i komandant Remit i cili është shpjeguar se do të vijë dhe do të prezantohet kush është, ka qenë një fjalim përafërsisht 4-5 minuta, ka qenë fjalim falënderues, për kurajën, ka qenë fjalim informues.”

Pasi ka pretenduar për qendrën në Bajgorë, ai ka përmendur për një person që sipas tij është marrë në pyetje brenda objektit.

Derisa, prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, kundërshtim i cili u pranua nga gjykatësi.

“Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar.”, tha Gregory Kehoe – Avokat i Hashim Thaçit.

Dëshmitari ka thënë se më pas ishin larguar nga ky fshat për shkak se kishin humbur betejën e mesit të shtatorit me forcat serbe, ku edhe personat e ndaluar në qendrën e ndalimit ishin evakuuar me traktor.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk ka qenë i detyruar të marrë pjesë direkt në luftime me forcat serbe, por sipas tij, ishte angazhuar në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Sikur në rastet e kaluara, edhe kjo seancë në pjesë të madhe ka qenë e mbyllur për publikun.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.